Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci, e cila akuzoi SBASHK-un për rezultat të ulët në arsim.
Kastrati thotë se kjo deklarata e saj është pasqyra e trajtimit shkel-e-shko të problemit të shkallëzuar e kompleks të arsimit në Kamenicë nga Ministria.
“Problemet në arsimin në Kamenicë nuk janë fare të thjeshta. Një gjysmë faqe dokument është i pamjaftueshëm dhe i pakonsideratë ndaj të gjithë atyre që janë të përfshirë dhe afektuar nga kjo reformë. Mësimdhënës, nxënës, nxënës me nevoja të veçanta, e prindër”, ka shkruar Kastrati në Facebook.
Ai tutje i tha Nagavcit se problemet në arsim nuk zgjidhen me deklarata një-faqëshe.
“Është e vërtetë që ka të atillë në Kamenicë që për interesa politike e personale nuk duan t’ia dinë për kushtet e mjerueshme në të cilat kanë qenë disa nxënës. Por ata nuk janë ministra të arsimit. Juve duhet t’u bëjë për këta nxënës. Për këto tregime personale të familjeve të cilat nuk e meritojnë të nëpërkëmben. Për secilin fëmijë e drejtë e të cilit është të përfaqësohet nga liderë që nuk kalkulojnë për përfitime politike”.
/Gazeta Enigma/