Mbrojtësi i krahut, Florent Hadërgjonaj ka thënë se Kosova është gati për ndeshjen miqësore ndaj Zvicrës.
Kjo ndeshje luhet të martën në Zuerich prej orës 18:00. Hadërgjonaj në konferencën për shtyp të hënën, tha se synimi i Kosovës do të jetë të bëjë një paraqitje të mirë dhe të marrë një rezultat të favorshëm.
“Është një lojë speciale, por ne përgatitemi për çdo ndeshje dhe duam ta fitojmë sikurse me Burkina Fason. Ne kemi kapacitet dhe e kemi dëshmuar veten ndaj kundërshtarëve tjerë, kështu që natyrisht që synimi është një rezultat sa më i mirë ndaj Zvicrës. Atmosfera do të jetë e njëjtë për të gjithë. Është ndeshje miqësore dhe duam të tregojmë lojën ashtu siç jemi përgatitur në stërvitje. Dy vitet e fundit pa tifozë ishin të vështirë, stadiumi besoj se do të jetë i stërmbushur dhe do të ketë shumë kosovarë në stadium. Kjo do të na motivojë shumë”, ka thënë Hadërgjonaj.