Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona në Istog, të cilët dyshohen se më 26 mars kishin kryer një grabitje të armatosur.
Rasti kishte ndodhur në fshatin Suhogerll të Istogut.
“Më datë 26.03.2022, rreth orës 16:00, Policia është njoftuar se në fshatin Suhogerll- Istog, tre (3) persona të maskuar dhe të armatosur kanë ndaluar veturën e cila ishte duke qarkulluar në atë rrugë, të dyshuarit nën kërcënimin e armës kanë kërkuar që viktimat njëri nga ta i mitur, të largohen nga automjeti”.
“Viktimat janë larguar nga automjeti, ndërsa nga të dyshuarit nga viktimat kanë marrë: nëntëqind (900) euro, dy (2) telefona të cilët i kanë thyer ne vendin e ngjarjes dhe veturën e cila është gjetur dy (2) kilometra nga vendi i ngjarjes e braktisur”, njofton Policia.
Tutje, Policia bën të ditur se rastit ju kanë përgjigjur njësitet relevante nga Stacioni Policor Istog dhe njësiti i Sektorit Rajonal për Hetime DRP Pejë, ku pas një pune intensive nga hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime, me datë 30.03.2022, është arritur të identifikohen dhe arrestohen tre të dyshuarit e këtij rasti.
“Më qellim të gjetjes së provave është bërë bastisja e tri (3) lokacioneve, ndërsa në njërin nga lokacionet janë gjetur dhe konfiskuar: dy (2) armë të gjata tre karikator”, thuhet në njoftim.
Policia shton tutje se, pas konsultimit me prokurorin kompetent, të dyshuarit janë intervistuar dhe me urdhër të tij ndaj dy (2) të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit policor prej 48- orësh, ndërsa njëri nga të dyshuarit është liruar në procedurë te rregullt.