Mehmeti: Në test për policë ishin pyetje të shkollës fillore ose të mesme

Mehmeti: Në test për policë ishin pyetje të shkollës fillore ose të mesme

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Siguri, ka thënë detaje për konkursin për policë të rinj.

Ai ka thënë se për përpilimin e aplikacionit janë konsultuar me profesor të Fakultetit të Edukimit dhe se konkursi ka qenë për testim të njohurive të përgjithshme, pyetje kryesisht që mësohen në shkollë fillore apo të mesme.

Ai ka thënë se në këtë konkurs aplikuan 11.516 kandidatë, ndërsa nga 8,000 kandidatë sa i ishin nënshtruar testit vetëm 1000 e kanë kaluar.

Kishte pasur ankesa për pyetje të vështira në test, por edhe për faktin se testi ka qenë online dhe ka pasur vështirësi.

“Pas mbylljes së konkursit është themeluar komisioni përgjegjës për mbarëvajtjen dhe mbikëqyrjen e procesit. Për hartimin e pyetjeve nga matematika dhe gjuha shqipe ka pasur konsultim me profesorët e Fakultetit të Edukimit. Kurse nga fushat e përgjithshme Policia e Kosovës ka themeluar grupin punues që pyetjet të jenë të thjeshta të përgjithshme pa u thelluar në njohuri akademike, pyetje kryesisht që mësohen në shkollë fillore apo të mesme. Në këtë test me shkrim janë hartuar 6 mijë pyetje. Testi është përbërë nga 100 pyetje, dhe ishte koha 2:30 orë”.

“Gjatë shqyrtimit të aplikacioneve kemi vërejtur se një numër i madh i kandidatëve ka pasur rezultate të kalueshmërisë së shkollimit të mjaftueshëm apo të mirë. Komisioni e ka bërë publikimin e rezultateve dhe nga 8 mijë kandidatë që i janë nënshtruar 1 mijë e kanë kaluar dhe 7 mijë kanë dështuar. Ka pasur dilema se a e kanë kaluar shumë apo pak.

Kemi pasur për bazë rekrutimin e vitit 2014 dhe 2018. Më 2014 janë ftuar 19,550 kandidatë prej tyre 2,881 e kanë kaluar kurse kanë dështuar 15,000. Më 2018 numri i kandidatëve ka qenë 16,705, e kanë kaluar 3,847 kanë dështuar 9 mijë. Më 2021 kanë aplikuar 11,291 prej të cilëve kanë kaluar 1,447”, tha Mehmeti.

Related Articles