Hoxha Shefqet Krasniqi ka pohuar se janë tre kategori të agjëruesve të Ramazanit, por, ka vlerësuar se vetëm ata që i takojnë njërës prej tyre, janë përfitues të plotë të të mirave të muajit të shenjtë.
“Ka prej tyre që agjërojnë me tërë qenien e tyre. Ata janë shkallë e lartë. Ai kur hyn Ramazani, nuk dinë as të mendojë keq, e lëre më të veprojë keq. Ai është i përkushtuar me ia dhanë hakun agjërimit”, tha hoxha si mysafir në Klan Kosova.
E kategoria e dytë e më pak e devotshme në muajin e sakrificës, sipas tij, është ajo ku njerëzit nuk bëjnë më shumë se sa e privojnë vetën nga ushqimi.
“Këta agjërojnë, nuk ia huqin. Por, agjërojnë vetëm me abstenim nga ushqimi, veçse nuk agjërojnë me gojë. Nuk agjërojnë me gjymtyrë. Nuk agjërojnë me vepra”, tha Krasniqi.
Ndërkohë, si të tretët dhe më pak përfitues nga Ramazani i radhit ata që, sipas tij, me përjashtim të 30 ditëve të këtij muaji, merren me punë të këqija.
“Kemi edhe një grup tjetër njerëzish, të cilët deri në natën e Ramazanit, përdorin alkool, bastore e merren me faqe të zeza. Në natën e ramazanit i lë këto, sepse shejtani prangoset, dhe ky një muaj ditë nuk pi alkool, nuk luan në bastore, nuk shkon nëpër kafene e kazino. Por, si ta falë Bajramin, menjëherë kthehet aty ku ka qenë”, tha ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë.