Bashkimi Evropian sërish i ka bërë thirrje Serbisë që të përshtatë qëndrimet me bllokun sa i përket Rusisë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun me Kosovën.
Serbia e ka dënuar agresionin rus, por nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, ashtu siç ka bërë BE-ja.
“Në kohën e agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës, një shteti sovran dhe të pavarur, presim nga Serbia që, si vend kandidat që është duke negociuar për anëtarësim, gradualisht të përshtatet me qëndrimet e BE-së, përfshirë edhe me deklaratat dhe masat kufizuese, në përputhje me kornizën negociuese BE-Serbi”, thuhet në deklaratë e përbashkët në emër të BE-së, përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe Komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Dy zyrtarët e lartë të BE-së e kanë përshëndetur pjesëmarrjen masive në zgjedhjet e 3 prillit në Serbi, por kanë tërhequr vërejtjen për disa parregullsi, sidomos për shkak të favorizimit të partisë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe.
Zgjedhjet presidenciale, sipas rezultateve paraprake, i ka fituar presidenti aktual, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq ato parlamentare i ka fituar po partia e Vuçiqit, Partia Përparimtare Serbe.
Borrell dhe Varhelyi kanë bërë thirrje që këto vërejtje të vëzhguesve ndërkombëtarë të merren parasysh.
“BE-ja pret të angazhohet me presidentin dhe Qeverinë e ardhshme për të çuar përpara vendimin strategjik të Serbisë për t’u anëtarësuar në BE. Ne e inkurajojmë Serbinë që të dëshmojë rezultate reale dhe të prekshme, posaçërisht në sundimin e ligjit dhe normalizimin e raporteve me Kosovën përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që përcakton dinamikën e përgjithshme të procesit të negociatave të anëtarësimit”, thuhet në reagimin e Borrellit dhe Varhelyit.
BE-ja ka kërkuar nga Serbia përparim dhe thellim të reformave në gjyqësor, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në fushën e lirisë së mediave si dhe në procedimin para gjykatave vendore të rasteve të krimeve të luftës, raporton REL.
“Ne llogarisim në një angazhim konstruktiv të Serbisë në avancimin e pajtimit dhe fqinjësisë së mirë, si dhe bashkëpunimit rajonal në tërësi”, thuhet në deklaratë.
Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ky proces, sipas Kosovës, duhet të përfundojë me një marrëveshje të përqendruar në njohje reciproke. / Gazeta Enigma.