Ambasadorja e Izraelit dorëzoi kredencialet në Prishtinë

Ambasadorja e Izraelit dorëzoi kredencialet në Prishtinë

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli ka qenë një prej njohjeve më të rëndësishme që shteti i Kosovës ka marrë në dekadën e fundit. Kjo njohje mban vulën e Shtëpisë së Bardhë.

Si rezultat i vendosjes së raporteve diplomatike në mes të dy shteteve, sot në Prishtinë ka qëndruar për një vizitë ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, e cila edhe ka dorëzuar letrat kredenciale të martën tek shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla-Shwarz.

Megjithatë Ziv nuk do të qëndrojë në Prishtinë për ta ushtruar detyrën siç bëjnë kolegët e saj nga shtetet e tjera, por do të kthehet në zyrën e saj në Jerusalem, meqë ajo do të vazhdojë të jetë ambasadore jo-rezidente e Izraelit në Prishtinë.

Derisa për çështjen e vendosjes së Ambasadës së Izraelit në Prishtinë ende nuk ka ndonjë lëvizje nga Izraeli. Në deklaratat që janë lëshuar pas takimeve të sotme nuk është thënë diçka e re.

Ndërkohë Kosova pas vendosjes së raporteve diplomatike, ka marrë vendim që ta vendos Ambasadën në Jerusalem, me Ines Demirin si e ngarkuar me punë.

Një vendim i tillë i Kosovës për ta çuar ambasadën në Jerusalem, duke ndjekur politikën e jashtëm amerikane, kishte nxitur mjaft debat dhe reagime, përfshirë edhe reagimin e Bashkimit Evropian.

Kosova dhe Izraeli kanë vendosur raportet diplomatike më 1 shkurt 2021. Ceremonia e nënshkrimit të Marrëdhënieve Diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit ishte bërë virtualisht.

Në Kosovë, dokumenti ishte nënshkruar atë kohë nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, derisa në Izrael e ishte nënshkruar nga kryediplomati izraelit, Gabriel Ashkenazi.

Tamar Ziv është emëruar ambasadore para 3 muajsh.

Related Articles