Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama së bashku me ministrin e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Marrëdhënie Humanitare kanë vizituar objektin ku po ndërtohet Qendra e Kompetencës e specializuar në sektorin e Teknologjisë Informative dhe të Komunikimit në Prishtinë.
Në njoftimin e Ramës në Facebook thuhet se kjo qendër financohet nga Dukata e Madhe e Luksemburgut dhe Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës. Ai tutje shtoi se kjo qendër do të akomodojë 192 studentë në profile të ndryshme.
“Duke pasur parasysh zhvillimin e hovshëm të këtij sektori premtues, kjo Qendër do të promovojë e do të përfshijë elementet e një sistemi dual të arsimit dhe aftësimit profesional dhe do të kontribuojë në nxitjen e inovacionit, zhvillimin e shktathtësive në fushën e TIK-ut, promovimin e vlerave sipërmarrëse dhe përgatitjen e studentëve për tregun e punës”, thuhet në njoftim
Tutje, Rama shtoi se kjo qendër e ka për synim të jetë një institucion lider në Kosovë dhe të përkrahë zhvillimin e arsimit në TIK në nivel kombëtar.
“Modeli i saj i qeverisjes do të përfshijë fusha që sigurojnë kualitet, zhvillim të kapacitetit të stafit menaxhues dhe mësimdhënës, shërbime të ndryshme shkollore, bashkëpunime ndërkombëtare, sisteme të ndryshme menaxhimi dhe Qendrën për Zhvillim dhe Trajnim për Ndërmarrësi.
Është themeluar një Marrëveshje Bashkëpunimi me Institutin për Zhvillim Ndërkombëtar të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dual, i cili është një asociacion jo profitabil i organizatave të arsimit, mësimdhënësve, specialistëve të kompjuterëve, hulumtuesve dhe profesionistëve, i themeluar me qëllim të përkrahjes ndërkombëtare të krijimit të qendrave të arsimit dhe aftësimit dual duke u bazuar në modelin e famshëm “Dual VET””, shkroi Rama.
“Me fillimin e funksionimit të saj, kjo Qendër do të akomodojë 192 studentë në këto profile: – Zhvillues të Aplikacioneve, teknikë të Informatikës së Biznesit, teknikë të Sistemeve të TI, teknikë të Dizajnit Grafik, teknikë për Dizajnim të Mediave Interaktive / “Mediamaticientë””, thuhet tutje në njoftimin e Ramës.