Fedarata e Futbollit të Finlandës (Suomen Palloliitto) spikat sulmuesin shqiptar Agon Sadiku.
Finlandezët kanë një Kombëtare të futbollit në rritje që ecën drejt konsolidimit të një niveli Europian por duhet pranuar që tash e shumë vite lëngon veçanërisht nga mungesat në repartin e sulmit, Sadiku është gjetja e duhur për Skandinavët.
Para pak ditësh në sajtin e Federatës së Futbollit të Finlandës u publikua një deklaratë e shkurtër përmes së cilës u dha një sihariq i madh duke paralajmëruar që përfundimisht Finlandezët gjetën sulmuesin dhe golashënuesin e duhur për ekipin kombëtar. “Finlanda gjen sulmuesin dhe golashënuesin e shkathtë Agon Sadiku” thuhet në prononcimin zyrtar të kësaj Federate.
Ky është një lajm jo vetëm për Federatën e Futbollit Finlandez por para së gjithash për 19 vjeçarin Sadiku i cili po tregon formë të shkëlqyer në fushën e blertë. Aspak rastësore nuk mund të quhet që ky prononcim i Federatës vjen fill pas përfundimit të kompeticionit për kualifikim në kampionatin Europian për grupmoshat e reja U19 në të cilin kampionat ylli i padiskutueshëm ishte Agon Sadiku.
Padyshim që loja e shkëlqyer e futbollistit me origjinë nga Kosova në një grup të fortë siç janë Belgjika, Italia e Gjermania bënë që në mesin e gjigantëve Europian të dallohet loja e tij. Në këto kualifikime u vërejtën depërtimet, asistimet dhe finalizimet me gola që realizoi ky lojtar, të cilat u panë me admirim nga Federata Finlandeze respektivisht Ekipi A i kësaj kombëtare, për të cilën pritet të mbroj ngjyrat së shpejti sulmuesi Sadiku.
Jo pak jehonë i dhanë mediumet televizive kombëtare, analistët dhe ekspertët e futbollit javës që shkoi në Helsinki gjatë garës së kualifikimeve për kampionat Europian duke spikatur talentin, shkathtësitë dhe guximin që shfaq në çdo duel sulmuesi shqiptar i cili me të drejtë cilësohet si e ardhmja e repartit të sulmit në Finlandë. Pas fitores me rezultat të ngushtë të Finlandezëve ndaj Gjermanisë, për mediumin televiziv RUUTU TV , Sadiku u shpreh ”Ndeshjet e këtij niveli na dhanë një leksion se si duhet të qendrojmë tërë kohën aktiv në tërësinë e lojës duke mbuluar edhe lojtaret me famë të mos na ndëshkojnë me gol që në rastet e para të krijuara”.
Rrugëtimi drejt këtij suksesi që e ka shoqëruar Agonin nuk është apsak rastësorë sepse loja e tij cilësore nuk ngeli e pavlerësuar as në ekipin e ligës së dytë HJK O4 HELSINKI i cili luajti me shumë sukses deri në dhjetor për të vazhduar tutje me FC HONKA në superligën e Finlandës në të cilin ekip brenda një harku kohor të shkurtër sulmuesi shqiptar jo vetëm që fitoi vend standard në ekip por tregoi rezultate mahnitëse.
Falë lojës brilante të talentit Kosovar, FC Honka doli fituese në rang kombëtar (LiiGACUP) duke u shpallur kampion për kupën e Finlandës pas 20 viteve. Kjo ishte një fitore e madhe për këtë ekip por gjithçka u bë e mundur falë mjeshtërisë së Sadikut i cili në momentin më vendimtarë i siguroi ekipit tiketën për në finalen e madhe. Më ketë performancë mahnitëse Sadiku jo vetëm që fitoi vëmendjen e ekspertëve të futbollit por para së gjithash u be lojtari më i preferuar edhe i tifozëve që vazhdojnë ta ndjekin me ovacione në vazhdimësi. Roli i tij gjithashtu ishte krucial edhe në ndeshjen finale kundër FC INTERTURKU ku falë lojës së tij, FC HONKA rrembeu kupën e Finlandës.
“Jam i lumtur që dolëm të parët me ekipin FC Honka dhe ndjehem i plotësuar sepse arrita të jap kontribut thelbësor në arritjen e këtij suksesi të perbashkët, do të vazhdoj të jap maksimumin në fushë dhe të mos zhgënjej drejtuesit e ekipit dhe tifozët qe po më mbështesin fuqishëm në çdo ndeshje” u shpreh Sadiku pas fitores në ndeshjen finale.
Analistët sportiv me të drejtë e ranguan si lojtarin më të mirë të kampionatit dhe shpresa e kombëtares Finlandeze sepse kualitetet që posedon ky lojtar në fushën e lojës janë të rralla; janë përmendur shumë atribute por për t’u theksuar janë; i pakompromis dhe tejet luftarak në duele , i shkathët dhe lojtar që e gjen golin brenda për brenda një hapsire shumë të vogël.
19 vjeçari Sadiku me lojën e tij premton shumë ndaj me të drejte Federata e Futbollit Finlandez llogarit në shërbimet e tij.