Komisioni i Garave për Superligë dhe Ligën e Parë ka vendosur që ndeshja SC Gjilani – FC Ballkani e ndërprerë në minutën e 90+4, të regjistrohet në me rezultat zyrtar 3:0 në favor të FC Ballkanit, raporton Gazeta Enigma.
Komisioni i Garave ka arsyetuar vendimin e tyre për shkak të sulmit fizik që iu ka bërë portierit të Ballkanit nga tifozët që hynë në fushë për ta festuar golin e shënuar nga Gjilani.
“Bazuar në nenin 59, paragrafi 1 i propozicioneve të garave: Nëse ndeshja ndërpritet për shkak të sulmit fizik ndaj gjyqtarëve apo lojtarëve, e njëjta do të regjistrohet me rezultat zyrtar 3 : 0 në favor të ekipit të dëmtuar, pranadaj duke u bazuar në këtë nen ekipi i dëmtuar në këtë ndeshje është FC Ballkani, kështu që ndeshjen e javës së 27-të në mes të SC Gjilani – FC Ballkani, Komisioni i Garave e regjistron me rezultat zyrtar 3 : 0 në favor të FC Ballkani, kurse ndaj ekipit dhe shkaktarit të incidentit do të inicohet procedura disiplinore”, thuhet në vendimin e Komisionit të Garave./GAZETA ENIGMA/