Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar sulmin e para 10 viteve me eksploziv te “Tre Rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës.
Nga ky sulm mbeti i vrarë Selver Haradinaj, ndërsa u plagosën gruaja dhe dy fëmijet e tij.
Kurti ka thënë se autoritetet e prokurorisë dhe të policisë e kanë gjithë mbështetjen që të veprojnë për zbulimin dhe kapjen, drejt gjykimit dhe dënimit të fajtorëve.
I pari i Qeverisë ka thënë se ka shpresë e besim se vrasësi apo vrasësit e Selver Haradinajt do të vihen para drejtësisë, meqenëse, siç thotë, institucionet kanë arritur të zbulojnë autorët e disa krimeve të kësaj natyre.
“Sot ne e kujtojmë me dhimbje e pikëllim Selver Haradinajn, dhe kërkojmë e angazhohemi për drejtësi. Autoritetet e prokurorisë dhe të policisë kanë gjithë mbështetjen që të veprojnë për zbulimin dhe kapjen, drejt gjykimit dhe dënimit të fajtorëve”.
“Kohët e fundit institucionet kanë arritur të zbulojnë autorët e disa krimeve të kësaj natyre. Prandaj kemi shpresë e besim që do të vihen para drejtësisë edhe vrasësi apo vrasësit e Selver Haradinajt”.
“Përmes drejtësisë dhe dënimit të kriminelëve Kosovën do ta bëjmë vend demokratik e prosperues ku të gjithë qytetarët jetojnë e punojnë të sigurt pavarësisht përkatësisë kombëtare e fetare, gjinore e sociale”, ka shkruar Kurti.