Mbi katër milionë fëmijë ukrainas kanë braktisur shtëpitë

Mbi katër milionë fëmijë ukrainas kanë braktisur shtëpitë

Gati dy të tretat e fëmijëve ukrainas kanë ikur nga shtëpitë e tyre prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë gjashtë javë më parë, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) më 12 prill.

Kombet e Bashkuara kanë verifikuar vdekjet e 142 të rinjve, ndonëse kanë paralajmëruar se shifrat e sakta mund të jenë shumë më të larta.

Manuel Fontaine, drejtor i programit për emergjenca në UNICEF, i cili sapo është kthyer nga Ukraina, ka thënë se largimi i 4.8 milionë fëmijëve ukrainas nga shtëpitë e tyre në një kohë kaq të shkurtër, është diçka që ai nuk e ka parë në 31 vjetët e tij në punën humanitare.

“Nga 3.2 milionë fëmijë që vlerësohet se kanë mbetur në shtëpitë e tyre, gati gjysma e tyre mund të mos kenë mjaftueshëm ushqim”, ka thënë Fontaine për Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ai ka paralajmëruar se situata është më e rëndë në qytetet Mariupol dhe Herson, ku nuk ka as ujë, dhe furnizimet me ushqim dhe ilaçe janë penguar.

Më 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar atë që e konsideron “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Related Articles