Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar në lidhje me raportin e DASH-it për Kosovën ku përmendet liria e mediave.
Raporti i DASH-it për vitin 2021, vë në pah mbylljen e institucioneve dhe Qeverisë ndaj gazetarëve derisa theksohet se ka pasur edhe përpjekje nga zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare për të frikësuar përfaqësuesit e mediave.
Gjithashtu theksohet fakti se gazetarët kanë hasur në vështirësi për marrjen e informacioneve nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht se me ligje garantohet qasja në dokumente publike.
Krasniqi thotë se kërcënimet duhet të ndalen dhe se Qeveria duhet të respektojë lirinë e mediave. Ai shton se raporti i fundit vë në pah përkeqësimin e gjendjes në njërën prej shtyllave qëndrore të demokracisë, që është media.
“Raporti për Të Drejtat e Njeriut në Kosovë, i publikuar së fundmi nga Departamenti Amerikan i Shtetit, përveç që ka evidentuar shumë dimensione të qeverisjes së paaftë të cilat i kemi thënë vazhdimisht edhe ne si opozitë, ka nxjerrë në pah përkeqësimin e një prej shtyllave qendrore të demokracisë, lirisë së shprehjes dhe mediave”, ka shkruar ai në Facebook.
“Në qendër të këtij vlerësimi për vështirësitë e mediave dhe gazetarëve për të raportuar drejtë, hapur dhe në mënyrë të pavarur, raporti ka përmendur pengesat, mungesën e transparencës dhe kërcënimeve, protagonistët e të cilave kryesisht janë vetë njerëzit e pushtetit. Kjo është e papranueshme për një shoqëri të lirë e demokratike. Mendësia e kërcënimit të mediave nga qeveritarët, nuk ka të bëjë asgjë as me traditën tonë politike, as me mënyrën tonë të kooperimit dhe as me aspiratat për të cilat qëndrojmë politikisht”, shtoi ai.
Ai tutje thotë se qeveria duhet të mbështetje pa rezervë punën e lirë të gazetarëve.
“Prandaj, duke mbështetur pa asnjë rezervë punën e lirë të gazetarëve, ne ftojmë qeverinë që të reflektojë përballë kritikave të Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe të japë shembullin e respektimit të lirisë së medias e të ndalojë kërcënimin ndaj tyre. Ky është një prej obligimeve themelore që do të duhej ti kishte një qeveri demokratike”, përfundon ai.