Kryetari i Këshillit Drejtues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Ali Gashi, ka komentuar projektligjin e votuar sot në qeveri për rritjen e pagës minimale.
Gashi tha se ata [BSPK], janë që të respektohet Ligji i Punës, ku sipas tij, me anë të këtij ligji parashihen qartë procedurat se si vihet deri tek rritja e pagës minimale.
Ai tha se përveç Ligjit të Punës duhet respektuar edhe Ligji mbi Këshillin Ekonomiko-social, ku sipas tij, një pagë minimale del nga Këshilli Ekonomiko-social çdo fundvit, këshill ky i formuat nga vetë qeveria
Përkundër që sot është votuar projektligji që parasheh rritjen e pagës minimale në 250 euro neto, Gashi tha se ka ende kohë që të bisedohet në lidhje me këtë.
“Besoj se ka ende kohe ku të ulet e të bisedohet. Ne insistojmë se tema për pagën minimale të kaloj përmes këtij këshilli, ku këshill ta thotë fjalën e vetë sepse në atë këshill nuk janë vetëm sindikatat, por edhe odat ekonomike dhe qeveria”.
“Ne si BSPK kërkojmë që para se të shkohet ky projektligj në parlament, të ulemi e të bisedojmë dhe të gjejmë një rrugë pasi kemi edhe ne propozime”, është shprehur Gashi në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Ai tutje thotë se për pagën minimale duhet të konsultohen edhe odat përfaqësuese, e jo vetëm Këshilli Ekonomiko-social, por edhe odat që sipas tij, kanë një kontribut të veçantë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe institucionet tjera.
Gashi thotë më tej se vendimi i sotëm i qeverisë është i njëanshëm dhe i paarsyeshëm..
“Vendimi i sotëm për pagën minimale nga ana e qeverisë është një vendim i njëanshëm. Nuk është arsyetim i bazuar, bile nuk është fare arsyetim pasi që në Këshillin Ekonomiko-social janë votuar të dy variantet”.
“Ne, gjithmonë kemi thënë se jemi të hapur për bisedime dhe të arrijmë një zgjidhej të pranueshme për palët. Ne as sot nuk jemi deklaruar rreth shumës, por jemi të interesuar për të gjetur një zgjidhje pasi që për caktimin e pagës minimale janë disa kritere që përcaktojnë formën dhe mënyrën e kësaj page”, është shprehur Gashi, njofton Klankosova.tv.
Kujtojmë se sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është votuar projektligji që parasheh rritjen e pagës minimale nga 130-170 euro në 264 euro bruto apo 250 euro neto.