Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë për media ka folur për sulmin ndaj policëve në veri të vendit.
Sveçla para mediave tha se Serbia ka për qëllim destabilizimin e Kosovës, derisa sipas tij situata në Kosovës është stabile.
Ministri Sveçla bashkë me drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti njoftuan për katër sulme kundrejtë policëve në veri.
“Është e qartë që Serbia po vazhdon me avazin e vjetër që të armatoset herë prej Rusisë e herë prej Kinës. Ne si institucione në vazhdimësi kemi bërë ngritjen e kapaciteteve tona, së pari në aspektin politik. Jemi duke forcuar marrëdhëniet me shtetet mike, pastaj edhe në aspektin e kapaciteteve operacionale të institucioneve të sigurisë. Ne nuk i frikësohemi çfarëdo lloj skenari të Serbisë, jemi të gatshëm të përballemi me çfarëdo lloj skenari të Serbisë”, tha ministri.
“Mendoj që qëllimi i Serbisë s’është në këtë moment që ta sulmojë Kosovën, por ta destabilizojë Kosovën. Po ju them se situata në Kosovë është stabile falë institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe sjellje pro-ligjit të shumicës absolute të qytetarëve”.
“Grupe të caktuara të mbështetura nga kushdo nuk mund të rrezikojnë sigurinë në vendin tonë, tashmë ne këtë e kemi dëshmuar dhe do vazhdojmë ta dëshmojmë çdo ditë”, tha mes tjerash Sveçla.