Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka kërkuar rritje pagash prej 50 për qind deri në miratimin e Ligjit të Pagave dhe pjesëmarrje në grupin punues për hartimin e Ligjit të Pagave.
Në një adresim drejtuar kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, FSSHK-ja është ankuar për gjendjen e rëndë të punëtorëve shëndetësorë.
Në letrën drejtuar Kurtit, FSSHK-ja ka paralajmëruar veprime sindikale nëse s’merrem masa nga Qeveria.
“Z. Kryeministër, pa dashur ta zgjasë më shumë gjendja e popullatës dhe punëtorëve shëndetësor është shumë e keqe gjë që faktohet në pritjet që duhet të bëhen, andaj intervenimi Juaj duhet të jetë i shpejtë dhe konkret. Çdo pasojë e mosveprimit adresën e ka tek Qeveria Juaj”, thuhet në letrën e Blerim Sylës, kryetarit në detyrë i FSSHK-së.
Kërkesa për përkrahje ekonomike nga shteti deri në miratimin e Ligjit për Paga kanë kërkuar edhe sindikata të tjera. Ligji për Paga nga Qeveria ishte paralajmëruar se do të shkojë në Kuvend në muajin mars, por kjo s’ka ndodhur ende.