U nënshkrua sot marrëveshja e bashkëpunimit Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe Institutit të Historisë për shkëmbimin dokumentar në funksion të kërkimit shkencor, në fushën e studimeve albanologjike, të cilat kanë në fokus studimet historike të Shqipërisë dhe të hapësirës shqiptare.
E pranishme në nënëshkrimin e marrëveshjes ishte drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa dhe drejtori i Institutit të Historisë, Afrim Krasniqi.
Zhupa u shpreh se marrëveshja mundëson promovimin e ATSH-së dhe bashkëpunimin në aktivitete e botime dokumentare, si dhe në rritjen e aksesit të dokumenteve arkivore në studime monografike.
“Kjo marrëveshje ka si objekt bashkëpunimin midis dy institucioneve në fushën e shkëmbimeve të informacionit dhe të dokumentacionit, si dhe të aktiviteteve të përbashkëta në vijim të botimeve që burojnë nga këto dokumente”, u shpreh Zhupa.
Ndërsa drejtori i Institutit të Historisë, Afrim Krasniqi, u shpreh se “kjo marrëveshje krijon bashkëpunim në nivele institucionale dhe të kërkimit, lehtëson aksesin në dokumentacionin dhe në aktivitete të përbashkëta, në rastin e organizimeve studimore apo botimeve dokumentare që lidhen me dokumentacionin historik të shtetit shqiptar”.
“Për Institutin e Historisë, marrëveshja mundëson akses të gjerë kërkimor në dokumentacionin arkivor të ATSH, për trajtim profesional dhe shkencor të zhvillimeve historike dhe albanologjike, si një interes institucional dhe kombëtar”, tha Krasniqi.
Zhupa dhe Krasniqi e vunë theksin edhe tek organizimi i aktiviteteve të përbashkëta me interes institucional dhe me fokus historik, shkruan ATSH. Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Instituti i Historisë do të shkëmbejnë tekstet studimore të botuara si dhe do të përfshijnë stafet dhe kërkuesit në aktivitete ose në botime dokumentare të përbashkëta.