Drejtori i Institutit KIPRED dhe njohësi i çështjeve politike, Lulzim Peci, ka thënë se nëse vërtetohet që ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj ka qenë i përfshirë në shitblerjen e energjisë elektrike për kompaninë GEN, përgjegjësia nuk kufizohet vetëm te ai.
Për Pecin, përgjegjësi do të ketë i gjithë establishmenti energjetik i Kosovës.
“Për shitje blerjet me rrymë përmes GEN-it, përgjegjësia nuk kufizohet vetëm në Ambasadorin Berishaj, nëse vërtetohet se ai ka qenë pjesë e këtyre transaksioneve, por e krejt establishmentit energjetik të Kosovës, duke përfshirë këtu Qeverinë dhe KEK-un, pasi vet kjo qeveri e ka emëruar Bordin e KEK-ut”, ka thënë Peci.
Ai ka sugjeruar që për raportimet e fundit, nuk mjafton komisioni hetimor parlamentar, por duhet të kycet Prokuroria Speciale.
“Këtu nuk mjafton të kemi vetëm një komision hetimor parlamentar, por pa vonesë duhet të kyçet Prokuroria Speciale”, ka shkruar ai në Facebook.
Sot, Gazeta Infokus raportoi se Kompania GEN, e dyshuar për lidhje me ambasadorin Berisha, mori 4.2 milion€ nga Kosova për dy muaj.
Korporata Energjetike e Kosovës, sipas raporteve të shkëmbimit të energjisë elektrike që ka siguruar gazeta, ka blerë energji elektrike në vlerë prej 4.2 milionë euro vetëm në muajin dhjetor 2021 dhe janar 2022, kurse ka shitur energji elektrike tek kjo kompani rreth 105 mijë euro.
Kjo kompani për të cilën u raportua se ambasadori Martin Berisha është këshilltar dhe u ngritën dyshime nga mediat për transaksione të dyshimta në vlerë mbi gjysmë milioni euro, sipas dokumenteve të siguruara nga gazeta, në vazhdimësi ka bërë tregtim të energjisë me KEK-un.