Pak ndeshje nga fundi i kampionatit, çdo sfidë mund të konsiderohet një finale, pavarësisht objektivave në lojë. Qëllimet e Interit dhe Romës janë përkatësisht titulli dhe një vend në Evropë, me verdhekuqtë që ende ëndërrojnë konkretisht vendin e katërt (zonën Champions).
Për kampionët në fuqi të Italisë, dëshira për të fituar titullin e 20-të dhe yllin e dytë është shumë e qartë. Lufta gjithëmilaneze në këtë drejtim, me Milanin në krye tani për tani, me dy pikë përpara, pret të kurorëzojë kampionin e ri.
Kujtojmë se Handanovic dhe shokët e tij do të rikuperojnë ndeshjen kundër Bologna më 27 prill.
Roma renditet e pesta, me pesë pikë pas Juventusit. Një hendek jo i thellë, por gjithsesi i rëndësishëm. Një sukses në “San Siro” do t’i rikonfirmonte me vendosmëri ambiciet e lojtarëve të Mourinhos, të cilët pas pak ditësh do të përfshihen edhe në ndeshjen e parë gjysmëfinale të “Conference League” kundër Leicesterit.
Inzaghi i ka të gjithë në dispozicion, përveç Vidalit, ‘viktimë’ e një ndrydhjeje të kyçit të këmbës në derbin e Kupës së Italisë. Dumfries është gati për të rimarrë vendin e tij të titullarit në krahun e djathtë, si dhe Dzeko, partneri i Lautaro në sulm.
Pankinë për Correa, autor i një asisti mbrëmjen e së martës për ‘Toro’. Përpara Handanovic mbrojtja tipike. Mourinho pa Fuzaton dhe Zaniolo, të dy mungojnë për shkak të skualifikimit. Mesfushori-sulmues Pellegrini, së bashku me Mkhitaryan do të mbështesin sulmuesin Abraham, golashënuesin më të mirë të sezonit verdhekuq.
Karsdorp dhe Zalewski nga jashtë, çifti Sergio Oliveira-Veretout në mesfushë. Mancini, Smalling dhe Ibañez do të kompozojnë treshen e mbrojtjes para portës së Rui Patricio. Mungon Cristante për shkak të dëmtimit.
Ja formacionet e mundshme:
INTER (3-5-2): Handanovic; Skriniar, De Vrij, Bastoni; Dumfries, Barella, Brozovic, Calhanoglu, Perisic; Lautaro, Dzeko.
ROMA (3-4-2-1): Rui Patricio; Mancini, Smalling, Ibañez; Karsdorp, Sergio Oliveira, Veretout, Zalewski; Pellegrini, Mkhitaryan; Abraham.