Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, thotë se Vetëvendosje e kanë shpallur tradhtar presidentin Ibrahim Rugova e bashkëpunëtor të Serbisë kurse për ambasadorin e tyre të dyshuar si i përfshirë në skandale e shpallin si të pafajshëm sipas tij me “aktgjykim hyjnor”.
Mustafa ka shkruar se Vetëvendosje s’ka lënë udhëheqës politik, ministër e deputet pa i shpallur hajna.
“E shpallën Rugovën tradhtar, antishqiptar e bashkëpunëtor të Serbisë. Fakte për këtë? As s’ju duheshin, as nuk i donin, as s’i kërkonin. Mjaftonte fjala e tyre, gjykimi i tyre ishte hyjnor, i prerë, përfundimtar. Nuk lanë udhëheqës politik, ministër, deputet, kryetar komune, etj. pa i shpallur hajna, të korruptuar, mashtrues. Fakte? S’ju duheshin. Mjaftonte që këta kishin vendosur dhe pikë. Aktgjykim hyjnor, pa të drejtë sqarimi”, ka shkruar ai.
Mustafa ka pyetur se përderisa komitetet e partisë në pushtet nxjerrin aktgjykime hyjnore çka i duhen Kosovës gjykatat.
“Ministrja shkelë një fëmijë 9 vjeçare dhe e akuzon vajzën se i ishte përplasur për veture. ”Ne i besojmë fjalëve të ministres”. Kaq. U mbyllë tema. E pafajshme! Aktgjykim i prerë hyjnor. Ambasadori përflitet në Slloveni për transaksione të dyshimta përmes kompanisë së tij energjetike në Mal të Zi, Kosovë, Serbi, Slloveni. E gjitha kjo në kohë krize energjetike në Kosovë. “Ne i besojmë fjalëve të ambasadorit”. Mbyllet tema! Aktgjykim hyjnor. Çka i duhen gjykatat Kosovës kur komitetet e Partisë nxjerrin aktgjykime hyjnore, të prera, përfundimtare”, ka shkruar Mustafa.