Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kritikuar ambasadorin e Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, për pjesëmarrjen e tij në zgjedhjet presidenciale franceze.
Halimi postoi një foto të tij duke votuar, e ku bënte thirrje që edhe kosovarët tjerë që kanë të drejtë vote, ta shfrytëzojnë atë. Citaku ka thënë se kjo është sjellje jo profesionale dhe jo-diplomatike.
Ajo shtoi se dy-shtetësia lejohet me Kushtetutë edhe në Francë por edhe në Kosovë, mirëpo pjesëmarrje e Halimit në zgjedhje i është dukur si “lajm i rremë”. Ajo shton se ambasadori në Francë përfaqëson shtetin e Kosovës.
“Dy-shtetësia lejohet me Kushtetutë edhe në Kosovë edhe në Francë. Fakti që Ambasadori i Kosovës në Francë ka dyshtetësi, nuk është precedan. Kemi pasur raste të tilla edhe më herët. Por, kur e pashë në lajme se Ambasadori ynë paska dalë për të votuar në zgjedhjet presidenciale të Frances, e bile bile paska postuar në Facebook, sinqerisht mendova se është ndonjë fake neës”, shkroi ajo.
“Është jo diplomatike dhe jo profesionale. Ambasadori ynë në Paris përfaqëson Republikën e Kosovës e jo ndonjë shoqatë kulturore, dhe nuk ka asnjë lloj sensi që në mënyrë selektive t’i ndërrojë kapelat, një ditë qytetar i Francës, ditën tjetër Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Kosovës”, përfundoi ajo./Gazeta Enigma/