Hoti: Dialogu për njohje reciproke degradoi në dialog për tabela të veturave

Hoti: Dialogu për njohje reciproke degradoi në dialog për tabela të veturave

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook e ka kritikuar qeverinë e Kosovës për qasjen ndaj dialogut me Serbinë, raporton Gazeta “Enigma”.

Hoti tha se qeveria e dëmtoi këtë proces kur e braktisi dialogun për njohje reciproke.

“Kosovës iu bë dëm i madh kur qeveria aktuale e braktisi dialogun për njohje reciproke, të cilin qeveria ime me ndihmën e partnerëve e kishte kornizuar shumë qartë. Samiti i Parisit (në korrik 2020), Marrëveshja e Uashingtonit (në shtator 2020) dhe shumë takime bilaterale me vendet e Quintit, e kornizuan qartësisht dialogun sa i përket qëllimit, përmbajtjes dhe kohës të arritjes së marrëveshjes finale, si dhe e detyruan Serbinë të nisë procesin e arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve me Kosovën”, thuhet në njoftimin e tij.

Tutje ai theksuar se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë tashmë kanë degraduar.

“Qeveria aktuale, në vend që të insistonte në mbyllje të dialogut me njohje reciproke, në Bruksel propozoi ‘traktate’ për mos-sulm dhe për zëvendësim të CEFTA-së, të cilat u injoruan plotësisht dhe me të drejtë nga ana e BE-së”, ka shkruar ai.

Sipas tij nga dialogu për njohje reciproke ka kaluar në atë për njohjen reciproke të tabelave.

“Fatkeqësisht, dialogu për njohje reciproke degradoi në dialog për tabela të veturave, sado e rëndësishme që është kjo çështje”, thuhet në njoftimin e tij./Gazeta Enigma/

Related Articles