Në një adresim para deputetëve rusë në Shën Petersburg sot, presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar çdo shtet që ka në plan të ndërhyjë në Ukrainë, se do të marrin përgjigje me shpejtësinë e dritës nga Moska.
Siç shkruan “The Guardian”, presidenti rus ka thënë Perëndimi ka dashur që ta copëtojë Rusinë dhe e ka akuzuar për nxitjen e Ukrainës në një konflikt me Rusinë.
“Nëse dikush ka qëllim të ndërhyjë në ngjarjet që po ndodhin (në Ukrainë) nga jashtë, duke krijuar kërcënime të papranueshme strategjike ndaj nesh, atëherë ata do të duhej ta dinin se përgjigja jonë do të jetë e shpejtë, sikur vetëtima”, ka thënë Putin.
Putin ka thënë se trupat ruse nuk do të hezitonin që të shfrytëzonin armatimin më modern.
“Kemi të gjitha pajisjet për këtë gjë – ato me të cilat askush nuk mund të mburret. Dhe ne nuk mburremi. Por do t’I përdorim nëse është e nevojshme. Dhe, dua që secili ta dijë këtë. Tashmë kemi marrë të gjitha vendimet për këtë”, ka thënë Putin.