Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, u votua data 22 maj për zgjedhjen e kreut të ri të kësaj force politike.
Lajmi u bë i ditur gjatë votimeve nen për nen të ndryshime statutore të PD-së, duke cituar kryetarin e komisionit që ndjek punimet e kuvendit të 30 prillit, Belind Këlliçi.
Komisioni përbëhet – njësoj si më 11 dhjetor – nga Albana Vokshi, Edmon Spaho, Ervin Minarolli dhe Ivi Kaso.
Ndërkohë për sekretariatin teknik, është zgjedhur Ledio Nuraj, Minushe Lazaj si dhe Nadja Daullja.
Konkretisht në këtë Kuvend janë pjesëmarrës në total 1 mijë e 425 delegatë.
Kjo datë u paralajmërua më herët nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Në një dalje për mediat të mërkurën e 27 prillit, ai bëri me dije se datat 21 ose 22 maj do të jenë datat që do t’i propozohen Kuvendit për zgjedhjen e kreut të Partisë Demokratike.
“U ra dakord që t’i propozohet Kuvendit data për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së. Data që do t’i propozohet Kuvendit do të jetë 21 ose data 22 e majit. Gara është hapur dhe do përcaktohen rregullat nga Komisioni”, theksonte Berisha në përfundim të mbledhjes.
Gjithashtu, ish-lideri demokrat njoftoi edhe shpalljen e kandidaturës për kryetar.