Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në përmbyllje të Muajit të Ramazanit kanë pritur në iftar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij.
Kryeministri Kurti shprehu respektin për devotshmërinë dhe vetëpërmbajtjen e besimtarëve myslimanë gjatë Muajit të Ramazanit.
Ai uroi që sakrifica e tyre të shpërblehet dhe solidariteti e ndjeshmëria të forcojnë edhe më shumë besimin dhe mirëkuptimin ndërmjet njerëzve.
Në prag të festës së Bajramit, që shënon fundin e muajit të agjërimit, kryeministri Kurti i uroi myftiut Tërnava dhe të gjithë besimtarëve myslimanë Bajram të gëzuar.
‘Humanizmin e tolerancën e besimtarit gjatë Ramazanit t’i kemi udhërrëfyes të përhershëm të përditshmërisë sonë’, tha kryeministri Kurti. /Gazeta Enigma/