Protestojnë të pakënaqurit me punësimet në Trepçë, paralajmërojnë qëndrim në tenda

Protestojnë të pakënaqurit me punësimet në Trepçë, paralajmërojnë qëndrim në tenda

Dhjetëra qytetarë, të pakënaqur me procesin e fundit të punësimit në kombinatin “Trepça”, kanë zgjedhur 1 Majin për të protestuar para hyrjes së kësaj ndërmarrje në Stan Tërg.

Ata duke përmendur fakte për parregullsitë gjatë pranimit të punëtorëve të rinj, kërkuan nga kryeministri i vendit dhe ministrja e ekonomisë që sa më parë të formojnë Bordin dhe të sistemojnë 154 persona që dhanë testin, por që, siç u shprehën ata, nuk u pranuan padrejtësisht.

Arsim Musa, nga Këshilli organizativ protestues, ka akuzuar ish-menaxhmentin, përkatësisht ish drejtorin Basri Ibrahimin dhe ish-anëtarët e komisionit, për të cilët tha se në bashkëpunim me Bordin, kanë punësuar anëtarët e familjes dhe klanet farefisnore partiake të tyre.

Sipas tij, protestat do të vazhdojnë edhe ditët në vijim, ndërsa nëse institucionet nuk reflektojnë atëherë protestuesit së bashku me familjarët e tyre do të vendosin tenda dhe do të qëndrojnë para objektit të Qeverisë. “Sot nga ky vend i bëjmë apel kryeministrit të Kosovës, ministres së ekonomisë, që sa më parë të formojnë Bordin e Trepçës dhe të sistematizojnë 154 protestues të cilët I kemi dhënë testet me shkrim dhe kemi qenë të suksesshëm në intervistat pranë Ndërmarrjes Trepça. Poashtu ne jemi të vendosur që sot më 1 Maj, të vazhdojmë me protesta tek kjo Ndërmarrje. Protestat do të vazhdojnë edhe të mërkurën dhe ditët në vazhdim. Në qoftëse nuk reflektohet asgjë, ne do të shkojmë tek qeveria e Kosovës, së bashku me anëtarët e familjes, do të vendosim tenda dhe për të parë se ku jemi sepse edhe ne jemi njerëz të këtij vendi të cilëve u janë cenuar të drejtat tash e 16 muaj dhe askush nuk merr përgjegjësi” ka thënë ai. Kosovapress

Related Articles