Ilir Daja ua vazhdon “agjerimin” trajnerëve të Kosovës, afër gjysmë dekade pa “shijuar” titullin

Ilir Daja ua vazhdon “agjerimin” trajnerëve të Kosovës, afër gjysmë dekade pa “shijuar” titullin

Ilir Daja është vetëm trajneri i radhës që është stolisur me titullin kampion në Superligën e Kosovës në futboll. Trajneri shqiptar siguroi trofeun e më të mirit në futbollin e Kosovës me Ballkanin. “Portokallezinjtë” kanë shkruar historinë duke siguruar titullin e parë të kampionit me Ilir Dajën në krye, dëshirë kjo e kahmotshme edhe e drejtuesve të klubit suharekas.

Me titullin e Ballkanit me Dajën, bëhen rreth katër vite që trajnerët e Kosovës nuk arrijnë të “kurorëzojnë” titullin kampion, përkundër se shumë prej tyre ishin afër viteve paraprake.

Bekim Isufi ishte trajneri i fundit kosovar që ngriti lart trofeun. Isufi u shpall kampion i Kosovës në edicionin 2017/18 kur drejtoi Dritën.

Vetëm një vit më vonë, nisi “epoka” e trajnerëve të huaj që morën drejtimin e skuadrave kosovare dhe në fund ia dolën të arrijnë suksesin. Zekirija Ramadani në edicionin 2018/19 fitoi titullin me Feronikelin.

Drita fitoi kampionatin edhe në sezonin 2019/20, veçse atëherë me trajnerin, Ardian Nuhiu, që edhe sot e ka “timonin” e ekipit gjilanas.

Zekirija Ramadani u rikthye në Superligën e Kosovës një vit për vonë për t’ia fituar Prishtinës titullin kampion që i mungoi për disa vite në kabinetin e trofeve.

Llumnica: Lëvizjet e shpeshta nëpër skuadra bën që klubet të humbasin “besimin” ndaj disa trajnerëve vendorë.

Analisti dhe njohësi i mirë i futbollit të Kosovës, Ardian Llumnica për Demokracia.com ka vlerësuar këtë situatë.

Llumnica tregoi edhe arsyen e cila sipas tij ka bërë që drejtuesit e klubeve të humbin “besimin” te trajnerët vendorë.

“Lëvizjet e shpeshta nëpër klube, çdo gjashtë muaj, ka bërë që klubet që janë pretendente për titull ta humbin “besimin” për disa trajner kosovar. E kjo dukuri po rritet e po fuqizohet ende sepse disa trajner shqiptar nga Maqedonia e Veriut e Shqipëria tashmë po i radhitin sukseset në Superligën tonë”, tha fillimisht Llumnica.

Llumnica ka bërë edhe një krahasim mes trajnerëve nga Kosova dhe atyre që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

“Arsyjet janë të shumta. Ju jeni dëshmitar që s’kemi dëgjuar ndonjë trajner nga Shqipëria apo Maqedonia e Veriut duke folur për karrierën e tyre futbollistike, sepse ata ju kanë përkushtuar zejës së trajnerit e cila kërkon shumë punë, çdo ditë reform, e çdo ditë mësime të reja. Ne ende jemi në atë nivel debati, nuk po reformohemi në hap me metodologjinë e kohës në zejën e trajnerit edhe pse tashmë ka kushte për punë dhe kërkesat e secilit trajner realizohen nga padronet e klubeve”, theksoi për fund Llumnica.

Afrim Toverlani mbetet trajneri më i suksesshëm i futbollit të Kosovës. Megjithatë, “Toki” është i papunë. Toverlani nga tetori i vitit 2020 është trajner i lirë, pasi kishte dhënë dorëheqje nga Feronikeli.

Related Articles