Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, u shpreh se projektligji për pagën minimale është diskriminues ndaj kategorisë së veteranëve të luftës, pasi që kjo kategori përjashtohet nga rritja e pensionit të tyre, njofton GazetaEnigma.
“Ligji aktual për trajtimin e temës së pagës minimale e ka specifikuar që pensioni i veteranëve të luftës se UÇK-së duhet të jetë i barazvlefshëm me pagën minimale. Projektligjin që e keni sjell ju, parasheh që të largojë veteranët nga rritja e pensionit të tyre”, tha Berisha.
Ai shtoi se shumica e veteranëve janë në gjendje të rëndë sociale dhe varen nga ky pension.
“Veteranët pensionin nuk e kanë si shpërblim, ashtu siç e kanë vendet e tjera por e kanë burim të ekzistencës, dhe në qoftë se e marrin këtë pension nuk mund të punojnë diku tjetër. Ne e shohim këtë qasje si diskriminuese ndaj kësaj kategorie të nderuar të vendit, që i dhanë edhe gjymtyrët për lirinë e vendit, andaj kërkojmë që ky nen diskriminues i propozuar nga ju të largohet në mënyrë që pensionet e tyre te jenë ne vije me pagën minimale”, u shpreh Berisha. / GazetaEnigma