Një rast jo fort i zakontë i dhunës në familje është denoncuar mbrëmë, në Policinë rajonalë të Prizrenit, ku një grua e ka raportuar bashkëshortin për dhunën qe ia ka shkaktuar vajzës së tyre. Rasti ka ndodhur në rrugën “Hamit Bojniku”, të Prizrenit, orës 19:45.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se viktimë e dhunës në familje këtë herë ishte një vajzë 10-vjeçare, e cila u sulmua pamëshirshëm nga babai i saj.
Motivi i dhunës ndaj të bijës dyshohet se ishin paratë. Bëhet fjalë për 10 euro, të cilat i kishte shpenzuar viktima, e siç duket kjo arsye i mjaftoi prizrenasit që ta sulmojë vajzën e tij 10-vjeçare.
Gruaja e të dyshuarit e shqetësuar për ngjarjen që i ndodhi në shtëpi për 10 euro, u detyrua ta denoncojë bashkëshortin e saj.
Sipas dëshmisë së saj të dhënë para hetuesve policorë, është kuptuar se nuk është ky i vetmi rast që u kishte ndodhur në familje, prandaj për ta parandaluar më të keqen qe mund të ndodhë, ajo ka kërkuar ndihmë nga Policia.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në veprim dhe ka shoqëruar të dyshuarin, i cili në stacion policor është përballur me denoncimin e gruas për dhunën qe e ka shkaktuar ndaj vajzës së tyre.
Në fazën fillestare të hetimit, sipas prokurorit deklaratat e palëve provojnë mjaftueshëm se i dyshuari duhet të ndalohet në kohëzgjatje prej 48 orësh.