Të dielën (sot) do të zhvillohen ndeshjet e katërta gjysmëfinale të Play-offit në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll.
Ndeshjet do të zhvillohen në Pejë dhe Therandë, ku vendasit janë në epërsi 2:1, ndërsa skuadra që shënon tri fitore do të kualifikohet në finalen e madhe.
Sfidat mes Pejës dhe Ponte Prizrenit ishin mjaft interesante, duke dhuruar basketboll të bukur dhe aksione atraktive. Pejanët kishin fituar takimin e parë 92:100, kurse më pas prizrenasit fituan 112:111, në një përballje dramatike, kurse sfida e fundit përfundoi me fitoren e verdhezinjve 108:85. Nëse Peja fiton, atëherë do të kualifikohet në finale, kurse nëse fiton Ponte Prizreni do të zhvillohet edhe përballja e pestë në Prizren.
Golden Eagle Ylli-Rahoveci është po ashtu një përballje shumë interesante, me vendasit që duan finalen dhe Vreshtarët që nuk duan të dorëzohen. Takimin e parë e fituan rahovecasit 69:66, derisa të dytin therandasit 62:70, e po ashtu edhe takimin e tretë 77:68. Fitorja e dërgon Yllin në finale, kurse fitorja për Rahovecin do të thotë që barazon serinë në 2:2, e më pas do të zhvillohej sfida e pestë në Rahovec.