“Mali i Zi mbetet partner i rëndësishëm rajonal për Kosovën”

“Mali i Zi mbetet partner i rëndësishëm rajonal për Kosovën”

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq gjatë vizitës zyrtare në Kosovë është pritur në takim edhe nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka njoftuar për zhvillimin e këtij takimi.

“Sot, me bashkëpunëtorë, takuam Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Biseduam për të ardhmen e dy shteteve tona dhe perspektivën euro-atlantike që Kosova dhe Mali i zi si shtete fqinje kanë”, ka deklaruar ai.

Sipas Abdixhikut, Mali i Zi si vend anëtar i NATO-s mbetet partner i rëndësishëm rajonal për Kosovën.

“Mali i Zi, vend anëtar i NATO-s, mbetet partner i rëndësishëm rajonal për Kosovën. Presidentin Gjukanoviq e falenderova për rolin mbështetës të shtetit të tij në proceset integruese të Kosovës, me theks të veçantë për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës e në familjen e përbashkët ushtarake të NATO-s”, ka shkruar Abdixhiku.

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vlerësuar orientimin e qartë të Malit të Zi në rrugëtimin e përbashkët euro – atlantik.

“LDK vlerëson orientimin e qartë të Malit të Zi në rrugëtimin e përbashkët euro-atlantik, si dhe bashkëpunimin rajonal brenda procesit të Berlinit. Presidentit Gjukanoviq i pranova me kënaqësi dhe ftesën e bërë për vizitë të radhës në Podgoricë”, thuhet në postimin e tij. /Gazeta Enigma/

Related Articles