Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka vendosur një bast me vetveten për Fondin e Sigurisë për FSK-në, të themeluar nga qeveria rreth dy muaj më parë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës tha sot në seancën plenare të kuvendit se nëse janë mbledhur mbi dy milionë euro në Fondin e Sigurisë, “do ta lë mandatin e deputetit”.
Tahiri kritikoi qeverinë për mbajtjen sekrete të informatave rreth fondit. Tha se është i sigurt se iniciativa për mbledhjen e fondeve të dedikuara për ushtrinë do të dështojë.
“Nëse janë dhanë mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë deri sot kur po flasim, unë jap dorëheqje, e lë mandatin e deputetit, sepse ju as 2 milionë euro nuk keni me arritë me i mbledhë. Prandaj, kjo është një marre e madhe e cila iu mbulon juve!”, tha ai.
“Edhe oligarkët që i quanit dje, është mirë me dhënë pare, po ashtu secili qytetarë – sipas mundësive të tyre secili”, u shpreh ai.