OKB-ja i ka kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin që të lejojë të zhvillohet tregtia përmes porteve ukrainase, në mënyrë që bota të mos përballet me krizën e urisë.
“Unë i kërkoj presidentit Putin, nëse keni fare zemër, ju lutemi hapni portet që të mund të ushqejmë më të varfrit dhe të parandalojmë urinë”, tha shefi i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, David Beasly.
Presidenti rus iu përgjigj kësaj thirrjeje duke pohuar se së pari duhet të hiqen sanksionet ndaj shtetit rus dhe më pas do të rihapen portet e Ukrainës, raporton skynews.
Kjo e fundit, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të drithit, eksporton shumicën e mallrave përmes porteve detare, por që nga fillimi i pushtimit rus, ajo është detyruar të tregtojë nëpërmjet hekurudhave ose porteve të vogla në Danub.
Theksojmë se aktualisht është bllokuar eksporti i 22 milionë tonëve grurë nga Ukraina.
Rusia dhe Ukraina së bashku prodhojnë pothuajse një të tretën e grurit në botë dhe gjysmën e vajit të lulediellit./Gazeta Enigma/