Akoma po vazhdon të kërkohet nga opozita mundësia e tërheqjes së kursimeve nga Trusti, shkruan GazetaEnigma.
Së fundmi lidhur me këtë çështje ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu, sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur askund në botë.
Në një intervistë Kryeziu tha se nga ky propozim përfitojnë ata që kanë e jo ata që nuk kanë.
“Pra, e para nuk i ndihmon qytetarët që kanë nevojë, e ne kemi hartuar shtesa e ndihmesa për qytetarët që ka më së shumti nevojë. Nuk është parë askund në botë dhe jo rastësisht…institucioni i Trustit është prej institucioneve të para në Kosovë, daton prej vitit 2001. Dhe që nga atëherë është bërë e qartë se këto para janë para të cilat planifikohen që të përdoren nga qytetarët në kohën e pensionimit, kur janë të papunë edhe fizikisht pamundur për të marrë më shumë të hyra”, ka thënë Kryeziu.
Zëdhënësi i Qeverisë ka shtuar se tërheqja e parave të Trustit tani është varfërim i qytetarëve për të ardhmen në pleqëri.
“Ne kemi ofruar mundësi të tjera duke ruajtur institucionin e Trustit, për shkak se edhe qytetarët e ne duhet ta bëjmë sa më të qartë për ta – tërheqja e parave të Trustit tani është varfërim i të ardhmes të tyre në pleqëri. Që përveç se iu dëmtohet mirëqenia, bëhen barrë edhe për buxhetin, meqë detyrohen që të përfitojnë vetëm nga pagesa bazike e pensionit e që ne e kuptojmë që nuk është e mjaftueshme. Për këtë ka nevojë për reformë, e për këtë po mundohemi ta bëjmë sa më parë”, shtoi Kryeziu.
/ GazetaEnigma