Kryetari i Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur, Bajram Çerkini, ka thënë se vendimi për ndërprerjen e gërmimeve nga ana e Serbisë është lojë e tyre për ta zvarritur këtë proces.
Komisioni i Serbisë, ka njoftuar se janë ndërprerë punimet në lokacionin e shënjuar në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sijenicës, në territorin e Serbisë.
Pas këtij njoftimi, ka reaguar Komisioni Qeveritar i Kosovës i cili ka akuzuar autoritetet serbe për mosbashkëpunim.
Në lidhje me ndërprerjen e gërmimeve Portali D, ka kontaktuar me Kryetarin e Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur, Bajram Çerkinin, i cili e ka konsideruar “lojë të Serbisë”, ndërprerjen dhe mosbashkëpunimin e tyre me autoritetet kosovare.
Ai ka thënë se shteti serb me qëllim po e zvarritë procesin e gërmimeve.
“Lojnat e serbëve i bëjnë siç i kanë bërë në Kizhevak gjithmonë duke e shtyrë me vite. Por ato lokacionet të cilat janë marrë vesh dy grupet punuese dy komisionet edhe prokuroria e tyre edhe na i kanë kryer sot”, ka thënë Çerkini.
Çerkini është shprehur se pala kosovare është e papërgaditur për t’i ndalur ato që ai i ka cilësuar si lojë të shtetit serb.
“Na e kontestojmë dhe ma shkurt si familjarë themi se është lojë e serbëve, sepse nëse nuk janë aty, duhet t’u themi ku keni lënë? Por kjo është lojë e cila vetëm serbët dinë ta luajnë. Mjerishtë ne jemi të papregaditur me e stagnu këtë lojë të Serbisë”, është shprehur ai.
Kryetari i Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur ka kritikuar edhe bashkësinë ndërkombëtare, duke thënë se duhet bërë më shumë në lidhje me temën e të pagjeturve. Sipas tij ata do duhej të jepnin informata më të sakta në mënyrën që të mos zvarriten këto procese./GazetaEnigma/