Sipas Shkollës Ekonomike të Kievit, raportohet se humbjet totale ekonomike në Ukrainë, të shkaktuara nga pushtimi i Rusisë, arrijnë në 564-600 miliardë dollarë.
Masa përfshin dëme të drejtpërdrejta në banesa dhe ndërtesa të tjera, infrastrukturë dhe pronë, si dhe dëme indirekte në formën e rënies së PBB-së, investimeve të humbura, largimit të punëtorëve dhe kostove shtesë të mbrojtjes dhe mbështetjes sociale, tha KSE.
Humbjet e drejtpërdrejta nga shkatërrimi i ndërtesave dhe infrastrukturës, vlerësohen në 105 miliardë dollarë, me banesat e dëmtuara, që përbëjnë rreth 40 miliardë dollarë nga kjo shifër.
Kompanitë ukrainase kanë pësuar 11 miliardë dollarë humbje ekonomike, duke përfshirë më shumë se gjysmë miliardi dollarë vetëm gjatë javës së kaluar. Më shumë se 200 kompani dhe fabrika ukrainase janë shkatërruar, dëmtuar ose konfiskuar nga Rusia, thotë KSE.
Më herët, një ish-ministër i Financave tha se Ukrainës do t’i duhen 750 miliardë dollarë për rindërtim.