Një lajm shokues ka ardhur sot nga kampi i Kombëtares së Kosovës i cili njoftoi se futbollisti Edvin Kurtulus e ka braktisur Kosovën për t’iu bashkuar Kombëtares së Suedisë.
Kurtulu që tash e disa vite ishte pjesë e Kombëtares U21, madje edhe kapiten i saj, u ftuar nga përzgjedhësi Alian Giress për ndeshjet e qershorit por çuditërisht ata sot morën një lajm befasues nga futbollisti i cili kishte përzgjedhur tashmë Suedinë.
Kryetari i Dardanëve, Luli Berisha ka qenë shumë i ashpër me lojtarin duke e cilësuar si akt tradhtie, madje ai ka thënë se po të kishim shtet ky futbollist dhe disa të tillë do të merrnin dënime të mëdha.
“Akt tradhtie, akt i ulët. Po të kishim shtet që na mbështet, e që fatkeqësisht nuk kemi, këtij dhe disa të tjerëve do ju kishin vu dënime të mëdha nga shteti. Prapë, Kosova jeton, luan, fiton edhe pa këta e pa shumë të tjerë që se duan këtë vend të shenjtë”, ka thënë Luli Berisha për Demokracia.com i cili megjithatë thotë se Kosova është e madhe edhe pa këta.
“Ka shumë-shumë njerëz që e duan këtë vend, e që e japin edhe jetën për Kosovën”, ka përfunduar Luli Berisha.
Të kujtojmë se veprim të njëjti si Kurtulus më herët kishte marrë edhe Andi Zeqiri i cili edhe pse e kishte pranuar ftesën nga Kosova, posa mori ftesë nga Zvicra i tha pa hezitim asaj PO.