Tashmë janë publikuar disa nga emrat të cilët do të jenë pjesë e ekipit këshillëdhënës për dialogun Kosovë-Serbi, por në këtë listë nuk gjendet emri i avokatit, Azem Vllasit.
Edhe pse nuk është ftuar, Vllasi thotë se është i gatshëm të jap kontributin e tij.
“Jam i gatshëm të jap kontributin tim në dialog sepse i njohë politikat e Serbisë ndaj Kosovës për një kohë të gjatë, në kontinuitet dhe në rrethana të ndryshme”, tha Vllasi për Albanian Post.
Sipas tij, për të arritur marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, janë shumë tema që duhet të përfshihen brenda saj, me theks fati i personave të zhdukur.
“Gjëja kryesore është që Marrëveshja Finale ka karakterin e një dokumenti midis dy shteteve të barabarta që njohin njëri-tjetrin dhe kanë garantues të jashtëm të cilët mund të jenë BE-ja dhe SHBA-të”, thotë ai.
Vllasi beson që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vullnet për mbylljen e këtij procesi.
Sipas tij, miqtë ndërkombëtarë nuk do t’i kërkojnë Kosovës kompromise që dëmtojnë shtetësinë e saj.
“Miqtë tanë ndërkombëtarë që na ndihmuan në çlirimin nga Serbia dhe krijimin e shtetit nuk na kërkojnë për një kompromis që dëmton shtetësinë e Kosovës, territorin, kufijtë ose strukturën kushtetuese si një shtet unitar i ndërtuar sipas planit të Ahtisaarit”.
Ai shton se në dialog Kosova duhet t’ia përkujtoj palës serbe vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar e as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.