Tërheqja e kursimeve nga Trusti mund të prodhojë kundërefekt në ekonomi, thuhet në raportin e fundit të Institutit për Studime të Avancuara GAP.
Sipas Institutit GAP, agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë, duke theksuar se vendosja e sanksioneve nga vendet perëndimore ndaj Rusisë ka shkaktuar goditje në anën e ofertës në treg.
“Reduktimi i normave tatimore në të ardhurat personale për të gjithë qytetarët dhe mbështetja e nismave sikurse ajo për tërheqjen e 30 për qind të kursimeve nga Trusti mund të prodhojnë kundërfekte në ekonomi”, thekson GAP.
GAP-i thekson se ekonomia e vendit tonë ndikohet edhe nga rritja e çmimeve të importit të produkteve ushqimore dhe lëndës së parë.
“Kosova është neto importuese e energjisë elektrike, naftës, grurit, misrit, vajit dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare pasqyrohen drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit tonë. Edhe pse Kosova ka një pavarësi energjetike në një shkallë të lartë, vitin e kaluar kishte një rritje të theksuar të importit dhe kërkesës për energji, ku gjithsej kosto e këtij importi ishte rreth 155 milionë euro. Pavarësisht rritjes së madhe të çmimit të naftës në Kosovë, kërkesa mbetet shumë e lartë. Po ashtu, ekonomia e vendit tonë ndikohet edhe nga rritja e çmimeve të importit të produkteve ushqimore dhe lëndës së parë”, thotë raporti “Ndikimi i luftës në Ukrainë në ekonominë e Kosovës“.
Lidhur me situatën aktuale, Instituti GAP rekomandon që politikat e qeverisë duhet të jenë të atilla që nuk e stimulojnë kërkesën për këto produkte.
“Është e rëndësishme që Qeveria e Kosovës me të hyrat e arkëtuara përtej planifikimit, si rezultat i çmimeve të larta, të mbështesë edhe më shumë grupet më të pa mbrojtura të shoqërisë, që rrezikojnë të bien në varfëri, sikurse qytetarët që janë pjesë e Skemës së Ndihmës Sociale, ata që mund të humbin vendet e punës, etj. Subvencionimi në fushën e bujqësisë në Kosovë dhe ulja e normës së akcizës për naftë për bujqit gjatë vitit 2022, dalin të jenë masa adekuate në mbulimin e rrezikut që bujqit të mos rrisin prodhimin e këtyre kulturave këtë vit dhe një mbështetje e tillë duhet të bëhet në vazhdimësi deri në normalizimin e çmimeve. Institucionet duhet të konsiderojnë zgjedhjen e strategjive mbrojtëse për energji elektrike këtë vit, marrë parasysh indikacionet për çmime të larta të importit të energjisë elektrike edhe në periudhën afatmesme”, përfundon GAP.
Ndryshe, deputeti Bekim Haxhiu në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, më 9 mars pati dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.
Kujtojmë se një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19. Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-së, Trusti kishte njoftuar janë tërhequr rreth 200 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues.