Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës këtë të hënë ka dështuar të mbahet, për shkak të mungesës së kuorumit.
Në këtë mënyrë, Kryesia nuk ka arritur të shqyrtojë Projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
E sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh iniciues i kësaj nisme, Bekim Haxhiut, mungesa e kuorumit po bëhet qëllimshëm nga pushteti.
“Mungesa e kuorumit në mbledhjen e sotme të kryesisë së Kuvendit të Kosovës, jo vetëm që është papërgjegjësi e pushtetit 50.24%, por është edhe e qëllimshme për të përfituar kohë, me qëllim të ushtrimit të presion mbi deputetët”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, do ta shtyjë votimin e Projektligjit për Trustin, për të ushtruar presion mbi deputetët për të votuar kundër kërkesës së qytetarëve për tërheqjen e një pjese të mjeteve të Trustit.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka njoftuar se vazhdimi i seancës do të jetë të enjten, kurse seanca e re për Trustin do të përcaktohet të hënën e javës së ardhshme.
“Ditën e hënë [të javës së ardhshme], do ta përcaktojmë edhe rendin e ditës për seancën e radhës në të cilën do të trajtohet një pikë e cila për një kohë të gjatë janë duke e pritur padurim, ajo e Trustit. Deri në 30 për qind kemi pësuar rritje të çmimeve të produkteve ushqimore, ku e konsiderojmë se kjo pikë është jashtëzakonisht e rëndësishme, e me gjasë do të jetë dita e enjte”, ka thënë Tahiri.