Votohet rezolutë për liberalizimin e vizave, Abdixhiku falënderon Partinë Popullore Evropiane

Votohet rezolutë për liberalizimin e vizave, Abdixhiku falënderon Partinë Popullore Evropiane

Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se Partia Popullore Evropiane (EPP) është në mbështetje të liberalizimit të vizave për kosovarët.

Sipas Abdixhikut, sot në Rotterdam është votuar rezoluta në mbështetje të liberalizimit të vizave të Kosovës me votat dërmuese të delegatëve të EPP-së.

“Në ditën e dytë të Kongresit të EPP, me sponsorizimin e partisë më të madhe austriake, Die Volkspartei (ÖVP) partisë së kancelarit austriak, Karl Nehammer, u votua rezoluta në mbështetje të liberalizimit të vizave të Kosovës. Me votat dërmuese të delegatëve të EPP, dhe me miratimin edhe të partive tona simotra që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, rezoluta bën thirrje për mbështetjen e shtetit tonë dhe qytetarëve tanë në këtë të drejtë bazike dhe tashmë të vonuar”, thuhet në publikimin e Abdixhikut.

Abdixhku ka falënderuar sponsorizuesit e kësaj rezolute dhe sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë të EPP-së, Patrick Voller, në sigurimin e mbështetjes së nevojshme.

Gjithashtu ai ka falënderuar edhe partinë e tij për angazhimin.

“Faleminderit gjithë ekipit të LDK-së të angazhuar në këtë proces”, ka përfunduar Abdixhiku.

Dje, Abdixhiku gjatë fjalimit të tij në Rotterdam të Holandës, ka ftuar delegatët e Partisë Popullore Evropiane (EPP) që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Related Articles