Në tetor 2019, një person asokohe 20-vjeçar me BMW M5 të tij qe përplasur me një makinë Ford në Dietikon ZH. Shoferja 42-vjeçare e Fordit dhe vajza e saj katër-vjeçare kishin pësuar plagë të rënda.
Vonë në mbrëmjen e të mërkurës Gjykata e Qarkut e Dietikonit ka shpallur aktgjykimin: i riu kosovar është dënuar pa kushte me 46 muaj burg, transmeton albinfo.ch. Dënimin e ka marrë, ndër të tjera për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore të shumta dhe për mosdhënie të përsëritur të ndihmës emergjente.
Tutje më tejë , i akuzuari do të dëbohet nga Zvicra për shtatë vjet. Ai gjithashtu duhet t’i paguajë familjes së viktimës gjithsej rreth 150 mijë franga.
Gjyqtari ka arsyetuar vendimin me dëshmi të besueshme të dëshmitarëve. Këta kanë konfirmuar se i akuzuari vazhdimisht ka nxituar dhe frenuar. “Ai donte të testonte makinën.” Duke bërë këtë, ka ndodhur aksidenti. “Sot ne e dimë se viktimat kanë mbijetuar por mund të ndodhte edhe ndryshe”.
Gjykatësi tha se 22-vjeçari nuk ishte kujdesur mjaftueshëm për nënën dhe vajzën. I akuzuari nuk ka bërë thirrjen e duhur të urgjencës. “Ju kishit kohë të thoshit në telefon se janë dy persona të lënduar”. Por, ai nuk e ka bërë këtë.
Nëna thotë se vajza e saj i vuan ende pasojat e aksidentit
Sipas aktakuzës, i akuzuari ka vendosur programin e vozitjes sportive në veturë dhe ka fikur kontrollin e qëndrueshmërisë. Pas kësaj, ai ka humbur kontrollin e mjetit.
Ai akuzohet gjithashtu se nuk është përkujdesur për viktimat. Siç raporton “Aargauer Zeitung”, i akuzuari e ka mohuar këtë në gjykatë. Ai thotë se ka folur me nënën e lënduar dhe i ka matur pulsin vajzës, transmeton albinfo.ch. Më pas ai ka shkuar në makinë i tronditur dhe ka ndezur një cigare. Ai nuk di më asgjë pas kësaj.
Lidhur me aksidentin, i akuzuari tha në gjykatë se kishte nxituar në Bernerstrasse, pas së cilës kishte ndodhur aksidenti. “Kam rrëshqitur. Nuk mund të bëja asgjë”, transmeton albinfo.ch. 22-vjeçari pranon se ka ndryshuar programin e makinës.
Megjithatë, arsyeja për këtë mbetet e paqartë. Gjatë gjykimit, 22-vjeçari i ka kërkuar falje familjes së prekur: “Do të doja të ktheja mbrapsht udhëtimin por kjo është e pamundur me vjen keq”.