Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka marrë pjesë në mbjelljen e 100 drunjve të blirit në afërsi të shkallëve të Arbërisë apo Dragodanit.
Szunyog u shpreh i impresionuar me interesimin e pjesëmarrësve në këtë aktivitet, teksa shtoi se ky aktivitet tregon se sa është BE-ja e përfshirë në bërjen e Prishtinës një qytet të gjelbër.
“Dua të theksoj se Kosova ka bërë disa përparime, por ende përballet me sfida dhe probleme mjedisore duke përfshirë ndotjen e ajrit, ujit e tokës”, është shprehur Szunyog.
Ai bëri të ditur se Zyra e BE-së në Kosovë që nga viti 2015 ka investuar më shumë se 100 milionë euro në kuadër të mbrojtjes së mjedisit.
“Mbështetja e Zyrës së BE-së përfshin përmirësimin e efikasitetit të ngrohjes qendrore përmes Termokosit dhe në të njëjtën kohë duke e reduktuar emitimin e dioksidit të karbonit si dhe përmirësimin e ngrohjes për së paku 60 mijë personave në Prishtinë”, ka thënë Szunyog, njofton Klankosova.tv.
Ai bëri thirrje që aktivitete si ky i sotmi të vazhdohen nga të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë që të gjithë të kontribuojnë në zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbra në Kosovë.