Prishtinë: Shtatë persona dyshohet se janë helmuar në një restaurant

Prishtinë: Shtatë persona dyshohet se janë helmuar në një restaurant

Rasti i helmimit në ushqim ka ndodhur në ditën e enjte në Prishtinë.

Alban Bunjaku, njëri nga të helmuarit i cili është teknik në një laborator në Prishtinë, ka treguar për teve1.info se si ka ardhur deri te helmimi.

Ai tregon edhe për simptomat që ka pasur gjatë helmimit.

“Në ditën e enjte, dolëm me dy koleg të mi, në orën 13:30 kemi shkuar te ky restorant në “Arbëri”, dhe ne porositëm file pule, pastaj gjithçka ka shkuar mirë, por në momentin që jam zgjuar në mëngjes kam ardhur në punë i kam parë kolegët e mi ishin në gjendje të rënduar. Njëri prej laborantëve që ishte në ndërrim me mua filloi të marrë infuzion menjëherë. Unë u ndihsha i lodhur. Jetoj në Mitrovicë dhe në momentin që jam nisur për t’u kthyer në qytetin tim, e kam vërejtur që nuk jam mirë. Kur kam ardh në shtëpi kam qenë në gjendje shumë të rënduar. Kam pasur temperaturë shumë të lartë, ethe, diarre dhe vjellje”, ka thënë Bunjaku.

Sipas tij, tri recepsioniste, tre laborantë dhe shoferi janë në një situatë të njëjtë helmimi.

“Menjëherë pasi që i kam parë këto simptoma thosha ndoshta më kalon, kur e mora vesh që edhe tri recepsioniste tjera që kanë ngrënë bukë në të njëjtin restorant si dhe shoferi janë në gjendje të njëjtë. D.m.th tre laborantë, tri recepsioniste dhe shoferi jemi në një situatë të njëjtë helmimi sepse të gjithë kemi ngrënë në të njëjtën ditë, në të njëjtin restorant”, tha ai.

Ai thotë se edhe pse ka marrë infuzion, prapë temperatura dhe diarreja janë prezent.

“Unë jam lajmëruar në Emergjencë në Mitrovicë dhe tregova për rastin, thash që po dyshoj se është helmim. Më dërguan në Infektivë në Bajr, ku mora edhe infuzion. Atë natë nuk kam mundur të flejë hiq sepse kam pasur diarre, ethe e temperaturë. Nesër me mëngjes më dhanë prapë infuzion dhe dy infuzione të tjera më thanë që t’i marrë në shtëpi. Kështu që njërin e përfundova dhe tjetrin duhet të marrë prapë se prapë. Temperatura nuk ka rënë hiq dhe diarreja është prezente dhe një lodhje e tepërt”, theksoi Bunjaku.

Po ashtu, edhe kolegu i tij, Amir Kutllovci njëri nga të helmuarit ka folur për rastin. Ai ka treguar se është i shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK nga ky helmim.

“Rastin nuk e kemi raportuar askund. Ne kemi porositur bukë për të ngrënë si zakonisht. Afër gjashtë persona kemi qenë dhe të gjashtit jemi helmuar… Rastin nuk e kemi raportuar sepse jemi në spital shtritë”, tha ai.

Kutllovci tregon edhe për simptomat që ka pasur.

“Kemi pasur të vjellura dhe jashtëqitje”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, menaxheri i këtij restoranti e ka mohuar mundësinë e helmimit të të klientëve të tij, duke thënë se ata persona nuk janë helmuar por se ky është një virus.

Teve1.info për të marrë më shumë informacione rreth gjendjen së këtyre pacientëve ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Klinika Infektive, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Zyra për Informim e QKUK-së, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Madje, Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj me arrogancë i është përgjigjur gazetares së teve1.info duke i thënë se mundet me ia thirrë Policinë pasi po e shqetëson në ditë pushimi.

“… Unë jam drejtor dhe te unë mund ta bësh kërkesën, gjuje kërkesën në emailin zyrtar të Zyrës për Informim dhe pas nja një javë dite e merr përgjigjen… Tash unë jam në pushim, vikend e tash me u marr edhe me këto sene… Ju lutna me pas pak kujdes, e jo në çdo minutë me më thirrë, me më trazu e mos me pas as vikend as sen. Unë mundem me e thirrë Policinë se po më bën probleme”, është shprehur Vishaj.

Related Articles