Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka njoftuar se moti i ligë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa fshatra të kësaj komune.
Tutje Bulliqi ka deklaruar se erërat e forta dhe breshëri shkaktuan shumë dëme, raporton Gazeta “Enigma”.
“Moti i ligë që po mbretëron në vendin tonë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa fshatra të Podujevës, erërat e forta dhe breshëri kanë dëmtuar dhjetëra ekonomi familjare dhe kultura të ndryshme bujqësore në rendimentin e tyre”, shkroi ai.
Bulliqi iu bëri apel qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar.
“Si institucione lokale me të gjitha kapacitetet tona do të jemi pranë qytetarëve në nevojat e tyre për ta kaluar shpejt këtë situatë. Njëherit, apeloj tek të gjithë qytetarët për kujdes të shtuar këto ditë nga rreziqet që mund të kanosen nga moti i keq”, shkroi kryetari i Podujevës./Gazeta Enigma/