Veteranët dhe invalidët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë ditës së sotme kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar të jenë pjesë e Ligjit për Pagën Minimale.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve dhe Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajonin e Dukagjinit, Avdyl Mushkolaj, duke e mbështetur protestën e sotme, ka thënë për Demokracia.com se shteti do të duhej te merrej me të drejtat e veteranëve dhe jo të protestohet 23 vjet pas luftës.
“Unë mendoj që nuk është dashtë fare që të mbahen protesta, sepse pas 23 viteve po flitet për të drejtat e veteranëve. Pra, po jetojmë në një shtet për të cilin ne kemi luftuar dhe ia kemi mundësuar secilit që me pas një të drejtë në këtë shtet. Pra, duhet që vetë shteti të merret me Ligjin e Veteranëve, për sigurinë e veteranëve, për familjen e veteranit dhe invalidëve të luftës e familjeve të dëshmorëve. Është e keqe që pas 23 vjetëve që të protestohet për të drejtat tona. Nuk duhet të them që protestat duhet t’i kemi më radikale, për shkak se ne kemi luftuar që ta kemi një shtet, një shtet me polici, ushtri dhe me parlament e qeveri. Të gjitha këto institucione kanë ardhur falë vlerave dhe falë mundit dhe sakrificës së veteranëve të luftës”, theksoi Mushkolaj.
Ai, po ashtu, ka thënë se është turp nëse Qeveria nuk i fut veteranët në Ligjin për Pagën Minimale.
“Për nder do të ishte turp i madh. E mira së mirës ka qenë dashtë që Qeveria së pari të ketë një delegacion nga veteranët e luftës, nga familjet e dëshmorëve, nga invalidët e luftës që të bisedojë për Ligjin e Pagave për këto kategori. Në bashkëpunim që të arrijmë një marrëveshje, por jo kështu”, u shpreh Mushkolaj.
Duke theksuar se janë kundër protestave radikale, Mushkolaj theksoi për Demokracia.com se një Qeveri që flet, mendon e voton shqip, do t’i përkrahte veteranët e UÇK-së dhe siç u shpreh ai, vetëm një Qeveri e Serbisë nuk do t’i përkrahte veteranët.
“Unë për veti kisha mendu që kjo qeveri nuk është qeveri shqiptare. Nëse këta njerëz të cilët kanë ardhur në pushtet falë vlerave, falë mundit edhe sakrificës edhe gjakut të gjithë atyre që kanë dhënë për ta pasur një shtet ligjor, për ta pasur një shtet që me qeverisë. Po të mos ishte kjo vlerë, këta njerëz që sot janë në pushtet nuk do të ishin këtu. Pra, do të ishin ndoshta në një qeveri, po flas ndoshta në mënyrë banale, por do të ishin një Qeveri e Serbisë, por jo qeveri që do të flitej shqip, do të mendon shqip e do të votonin shqip”, tha Mushkolaj.
Veteranët e UÇK-së për orë të tëra sot kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës me kërkesën e tyre të vetme, përfshirjen e veteranëve në Ligjin për Pagën Minimale.