Presidenti Ilir Meta ka deklaruar mbrëmjen e sotme se ka pasur komunikime me telefon para dhe pasi të zgjidhej nga Kuvendi si president i vendit.
Megjithatë, Meta nënvizoi se ishte e qartë presidentin do e zgjidhte vetë kryeministri Edi Rama. “Ka qenë e qartë që zgjedhja e presidentit do ishte zgjedhje e zotit Rama. Unë i uroj suksese. Kam folur në telefon me zotin Begaj para se të zgjidhej. Dhe pasi është zgjedhur e kam uruar”, tha Meta.
Ai u shpreh se nuk i interesonte çështja e Ramës në rastin e firmosjes së dekretit nga Stambolli por vetëm respektimi i Kushtetutës.
“Unë nuk plotësoj tekat e Edi Ramës. Mua nuk më intereson fare çështja e Edi Ramës. Më intereson që çdo veprim i presidentit ka qenë në përputhje me kushtetutën. Në planin kushtetues zero probleme, në planin moral zero probleme. Akti nuk është kaq i rëndësishëm.
Ju bëni sikur unë me këtë dekret kam zgjedhur presidentin e republikës. Çfarë ka problemi ka me Stambollin. Në një vend të NATO-s isha. Nuk ka si të ketë shantazh. Dekreti është bërë në Tiranë. Është vulosur në Tiranë”, u shpreh Meta.
“Çështja e parë ishte një çështje shumë e madhe dhe e rëndësishme, Nuk mund të anulosh zgjedhjet pasi je konsultuar me të gjitha palët. Diheshin problemet dhe vështirësitë.
Më është kërkuar nga zoti Basha të anuloj zgjedhjet por nuk më është kërkuar zyrtarisht. Këta e kanë kërkuar zyrtarisht, dhe unë jam i detyruar të përgjigjem zyrtarisht. Duhet edhe një relacion për çështjen e dekretit të zgjedhjeve. Duhet edhe një datë kur anulon”.