Lyudmila Makey është gazetarja e parë nga Ukraina e cila është strehuar në Kosovë. Makey ka thënë se tashmë situata gjeopolitike ka ndryshuar dhe se shpreson që pas kësaj mbështetje të madhe të Kosovës, Ukriana do ta shqyrtojë njohjen e shtetit të Kosovës.
“Sot situate gjeopolitike ka ndryshuar. Ndoshta për gjithë këtë mbështetje nga Kosova, strehimin e gazetarëve dhe pozicionin ndaj Rusisë, mund të bëhet një hap tutje dhe Ukraina të njeh shtetin e Kosovës. Kjo mbështetje nga Kosova do të jetë e paharrueshme”, tha Makey në RTV Dukagjini.
Ajo ka theksuar se në fillim të viteve 2000, Ukrainë ishte nën presionin e Rusisë.
“Në fillim të viteve 2000, Ukrainë ishte nën presionin e Rusisë. Me kalimin e viteve edhe pse presidentët dhe qeveritë kanë ndryshuar në Ukrainë, qëndrimi ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar për shkak të burokracive”.
Mekay, deklaroi se është e rrezikshme që të jesh gazetare në Ukrainë, duke përmendur faktin që forcat e okupatorit rus kanë vrarë 21 gazetarë në Ukrainë deri më tani.
“Falënderoj shumë të gjithë juve që më keni mundësuar të vijë në Kosovë. Ky program më mundëson që të mbetem në profesionin e gazetares. Jam thellësisht e prekur me faktin se si njerëz tërësisht të huaj dëshirojnë të na ndihmojnë. Besoj që bashkëpunimi ynë dhe solidariteti nga gazetarët tjerë është një hap i rëndësishëm drejt paqes”, tha ajo.
Ndryshe, më 30 maj, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës pati njoftuar se kishte arritur gazetarja e katërt ukrainase Daria Meshcheriakova në Prishtinë.