Policia e Kosovës ka arrestuar sot në pikën e kalimit kufitar në Jarinje një serb, në automjetin e të cilit janë gjetur katër mijë copë fishekë.
Në njoftimin e Policisë thuhet se “Policia e Kufitare e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, më 09.06.2022 rreth orës 09:45, gjatë kryerjes së detyrave për kontrollim kufitar në pikën e kalimit kufitar Jarinje, gjatë kontrollit të një veture me targa të Serbisë, e cila drejtohej nga një shtetas kosovar, të njëjtën e ka dërguar në ‘vijën e dytë’ për kontroll më të detajuar”.
“Gjatë kontrollimit në bagazhin e automjetit janë gjetur katër pako të mëdha me gjithsej 4000 copë municion të llojeve të ndryshme të fshehura tek vendi i gomës rezervë të automjetit. Policia ka arrestuar personin e dyshuar, ndërsa me autorizim të prokurorit përkatës, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’”, thuhet në njoftimin e Policisë.