Zyra për media e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, së fundmi kapublikuar fjalimin e plotë të shefit të Qeverisë të mbajtur në takimin e zhvilluar me kancelarin gjerman Olaf Scholz, raporton GazetaEnigma.
Kurti theksoi se në fund të vitit Kosova do të aplikoj për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian.
Fjalimi i plotë:
Sot pata nderin dhe kënaqësinë që ta pres Kancelarin Scholz dhe delegacionin e tij në një takim këtu në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Në emër te popullit te Kosovës falënderova kancelarin Scholz për vizitën e tij duke kujtuar që kjo është një vizitë historike për Kosovën, pasi kjo është vizita e parë e një Kancelari Gjerman në Qeverinë e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë me 17 shkurt 2008. Pra, pas plotë 14 viteve.
Kjo është vizitë historike edhe për faktin sepse jemi në një moment vendimtar për rajonin tonë por edhe për kontinentin evropian.
Pas agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë, bota të cilën e dinim para 24 shkurtit të këtij viti ka ndryshuar. E pikërisht në këtë kohë të trazuar, kur kemi më shumë se kurrë nevojë për lidership të qëndrueshëm e të besueshëm, Kancelari ka treguar vizion e qartësi në mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të drejtave civile.
Gjermania dhe Kosova janë të bashkuara nga të njëjtat synime dhe ideale për një Evropë të lirë, të mirëqenies e që jeton në paqe. Por ne jemi të bashkuar edhe nga njerëzit tanë. Mijëra ushtarë gjermanë kanë shërbyer në Kosovë përgjatë këtyre dy dekadave në kuadër të Trupave paqeruajtëse të NATO-s dhe Gjermania është shtëpi e mbi 400,000 shqiptarëve nga Kosova që jetojnë dhe punojnë në Gjermani. Ata sot çdo ditë e më shumë po aftësohen dhe janë bërë forcë e dobishme për Gjermaninë duke shërbyer në të gjitha sferat e jetës, nga mësues, doktorë, policë, ushtarë e deri tek parlamentet e landeve.
I nderuar Kancelar, kanë kaluar 23 vjet prej se Gjermania dhe 18 vende të tjera anëtare të NATO-s u bënë bashkë për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë që solli katastrofë humanitare. Ne jemi përjetë mirënjohës për mbështetjen dhe solidaritetin tuaj.
Sot jemi po ashtu vetëm dy ditë larg nga dita e çlirimit të Kosovës, që është pasnesër, dita kur trupat e para të NATO-s hynë në Kosovë. Të gjithëve na kujtohen pamjet e asaj dite. Mijëra qytetarë të Kosovës me lule në duar e me plotë gëzimi në sy pritën ushtarët e NATO-s, përfshirë edhe ata gjermanë, pas vuajtjeve të tmerrshme që kishim kaluar.
Na kujtohen gjithashtu edhe pamjet e Kosovës. Gjithçka ishte djegur dhe shkatërruar. Sipas vlerësimeve të OKB-së forcat serbe shkatërruan mbi 60% e shkollave së bashku me objekte fetare e të trashëgimisë kulturore kurse, Bashkimi Evropian llogariti se për rindërtimin e Kosovës së shkatërruar duheshin mbi 4 miliardë dollarë. Janë afër 3 miliardë euro në dëme materiale dhe jo-materiale nga moskthimi i pensioneve ndaj kontributdhënësve të Kosovës nga viti 1998.
Gjermania ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm edhe në rindërtimin e Kosovës me ndihma humanitare, investime dhe gjithçka tjetër, për çka qytetarët e Kosovës janë falënderues.
Në takimin që patëm herën e fundit në Berlin ia prezantova Kancelarit Scholz të gjitha zhvillimet pozitive ekonomike që shënoi Kosova në vitin e fundit. Sot e sigurova Kancelarin se përkundër rrethanave të vështira socio-ekonomike, qeveria jonë po vazhdon me reforma të përgjithshme. Ne vazhdojmë, jo vetëm që t’i forcojmë mekanizmat tanë të sundimit të ligjit, por edhe kulturën demokratike në vend.
Po ashtu e sigurova Kancelarin se në përputhje me premtimet dhe perspektivën evropiane po punojmë për përmbushjen e reformave të nevojshme për integrim në Bashkimin Evropian.
Kërkesa për mbështetje nga Gjermania për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ka hasur në mirëkuptim të plotë. Do të vazhdojmë edhe me aspiratën tonë për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, ku planifikojmë të aplikojmë në fund të këtij viti.
Më 22 qershor Bundestagu gjerman pritet që të votojë për vazhdimin e mandatit të pjesëtarëve të ushtrisë gjermane në forcën mbrojtëse të KFOR-it. Do ta mirëpresim votimin pro vazhdimit të mandatit, duke pasur parasysh rëndësinë e pranisë së NATO-s në Kosovë dhe trupave gjermane në KFOR, si garantues të sigurisë në Kosovë e rajon.
Në këtë drejtim, me rëndësi të madhe edhe nevojë urgjente është anëtarësimi i Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe sërish kërkova që Gjermania, si anëtar i NATO-s, të na mbështes në rrugëtimin tonë të anëtarësimit në këtë mekanizëm shumë të rëndësishëm të sigurisë. Edhe ne po shtojmë kapacitetet tona mbrojtëse. Në këtë vit e kemi shtuar buxhetin për 52 për qind.
E vazhduam bisedën e nisur në Berlin për marrëdhëniet bilaterale, çështjet rajonale si dhe hapat e radhës lidhur me liberalizimin e vizave. Kancelarin Scholz e sigurova që Kosova është dhe do të mbetet partner i besueshëm i Gjermanisë.
Sa u përket çështjeve të dialogut me Beogradin theksova se ne jemi treguar palë kreative, konstruktive, e përkushtuar, por Serbia fatkeqësisht po vazhdon të bllokojë zgjidhjet që ne i ofrojmë edhe në kuadër të Procesit të Berlinit. Kjo vërehet së fundmi me marrëveshjen mbi targat ose situatën me kostot për energjinë në komunat me shumicë serbe të popullsisë në Veriun e Kosovës.
Kancelarin e njoftova për rëndësinë që Republika e Kosovës i kushton Procesit të Berlinit si mundësia më e mirë për bashkëpunim e vendeve të rajonit tonë për integrim në Bashkimin Evropian.
Edhe në këtë proces Kosova po tregon përafrimin dhe orientimin e saj me politikat e BE-së për rajonin, duke iu përkushtuar plotësisht Tregut të Përbashkët Rajonal, siç është miratuar nga të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes së Procesit të Berlinit.
Ne nxisim dhe inkurajojmë çdo vend në Ballkanin Perëndimor që të angazhohet për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe të punojë ngushtë me Këshillin për Bashkëpunim Rajonal si mekanizëm i mbështetur nga Bashkimi Evropian e ku kërkojmë qasje parimore, të drejtë e trajtim të barabartë dhe gjithëpërfshirës dhe ku përfitues përfundimtar janë qytetarët.
Kosova vazhdimisht u bën thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të nënshkruajmë marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime, për Njohjen Reciproke të Kualifikimeve Akademike dhe Profesionale të dentistëve, inxhinierëve dhe dëshirojmë të shkojmë më tej në njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale për infermierë, mami, farmacistë, kirurgë, veterinarë edhe më shumë. Ne besojmë se të gjithë do të përfitojnë duke hequr barrierat në tregti dhe lëvizjen e lirë, por ne duhet ta bëjmë këtë në kuadër të rregullave dhe vlerave të përbashkëta me Bashkimin Evropian dhe me institucionet e pavarura që i zgjidhin mosmarrëveshjet.
Pra, ne presim me padurim rivitalizimin e Procesit të Berlinit nën udhëheqjen tuaj, i nderuar Kancelar, për të përshpejtuar reformat tona dhe për t’i sjellë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Natyrisht ato që duan të anëtarësohen.
Në këto kohë të pasigurisë me zinxhirët e furnizimit global dhe inflacionin, mbështetja gjermane do të na ndihmonte edhe më shumë në prezantimin e mundësive për investitorët potencialë në Kosovë dhe krijimin e lidhjeve më të ngushta tregtare mes dy vendeve tona.
Unë ia shpreha Kancelarit edhe shqetësimet tona mbi sigurinë e energjisë dhe theksova se së bashku me partnerët tonë duam të gjejmë mundësi të bashkëpunimit në kuadër të realizimit të synimeve tona nga Strategjia Kombëtare e Energjisë 2022-2031.
Dy shtetet tona tashmë edhe janë dakorduar për përmbajtjen dhe nënshkrimin e marrëveshjes për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë dhe të marrëveshjes për varrezat e ushtarëve gjermanë që kanë humbur jetën në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore.
Ju faleminderit shumë i nderuari Kancelar që na nderuat me vizitën tuaj. Jeni gjithmonë të mirëpritur.